HYRJE
ANTONIMET NË GJUHËN
SHQIPE
·
Koncepti për antonimine si dukuri gjuhësore
·
Përkufizimi sipas
kritereve të ndryshme.
·
Kriteri semantik
·
Përkufizimi sipas
kriterit leksikor
·
Kategorizimi sipas
kriterit të konfigurimit
·
Papajtueshmëria
dhe antonimia
·
Antonimia dhe
mohimi
·
Antonimia dhe
shkallëzimi
·
Antonimet në FGJSSH të vitit 1980
Pse
e studiojmë antoniminë? Përgjigjja më e thjeshtë do të ishte, se ajo ekziston në
gjuhë. Sipas Cruse, “antonimia është një nga marrëdhëniet kuptimore më të
perceptueshme”.
·
Shumë shembuj antonimie rrënjosen thellësisht
në mendjen tonë, që nga fëmijëria. Të kundërtat mësohen shpejt dhe harrohen
rrallë.Sikurse Cruse vë në dukje, “të kundërtat kanë një magjepsje të veçantë
dhe kanë cilësi të cilat mund të duken paradoksale”.
·
Për shembull, po
të konsiderojmë afërsinë dhe distancën nga njëra-tjetra të fjalëve të kundërta,
vëmë re se kuptimet e fjalëve në një çift të kundërt ndihen në mënyrë intuitive
se janë maksimalisht të ndara. Prandaj ka një ide të përgjithshme se fuqia e
bashkimit të të kundërtave është një fuqi magjike, një tipar hyjnor apo një
tipar i gjendjes mendore si rezultat i një meditimi të thellë…”.
·
Studimi i çështjes
së antonimisë tek mbiemrat dhe foljet në gjuhën angleze dhe atë shqipe ka
ngjallur interesin tonë, pasi mendohet që ky problem është i rëndësishëm nga
pikëpamja gjuhësore, leksikografike dhe leksiko-semantike. Po ashtu, propozimi
i temës vjen si nevojë e studimeve më të thelluara në fushën e gjuhësisë. Gjatë
këtij procesi, është konstatuar, se krahas çështjeve që lidhen me antoniminë në
një aspekt të përgjithshëm, klasa e mbiemrave dhe e foljeve paraqesin interes
të veçantë studimi në korpusin e antonimeve në gjuhën shqipe dhe angleze.
·
Qëllimi kryesor i këtij studimi është të
analizojë antoniminë si dukuri leksikosemantike dhe gramatikore në gjuhën
shqipe dhe angleze, si dhe problemet që lidhen me afritë dhe dallimet e
antonimeve në këto dy gjuhë.
Hipotezat
e këtij studimi:
A është antonimia njësi semantike aq sa
edhe leksikore?
-A mund të studiohet antonimia si lidhje
sintagmatike, e jo vetëm paradigmatike?
Ø A është raporti i antonimisë me sinoniminë
një tregues i lidhjes së të kundërtave dhe të ngjashmeve në gjuhë?
A ekziston një lidhje midis antonimisë dhe
polisemisë në gjuhë?
Ø A shërben antonimia si mjet i dobishëm në
komunikim?
Struktura
e punimit
Do të përqendrohemi tek antonimet në gjuhën shqipe.
Kështu, do të ndalemi tek historiku, terminologjia, përkufizimi, burimet, e
antonimeve. Do të trajtojmë përkufizimin në mënyrë më të detajuar duke u
përqendruar tek kriteret semantike, leksikore, të konfigurimit, etj. Më tej do
të ndalemi tek antonimet dhe problematikat e tyre të cilat lidhen me natyrën e
kundërvënies, papajtueshmërinë, mohimin,
shkallëzimin, etj. Një vënd të rëndësishëm në këtë kapitull, zë edhe
marrëdhënia e antonimisë me sinoniminë dhe poliseminë.
Koncepti për antoniminë si dukuri gjuhësore
Nëpër
gramatika,tekste të ndryshme
shkollore dhe nëpër
fjalorë të shqipes
e të huaj,antonimet përkufizohen si <<fjalë me
kuptim të kundërt>>ose si
fjalë që kundërvihen
nga kuptimi.Pas këtij përkufizimi
jepen shembuj me cifte
antonimesh të zakonshme,si
i mirë-i keq,i madh-i vogël,trim-frikacak,hap-mbyll,marr-jap,dritë-errësirë,bindje-mosbindje,gëzim-hidherim,poshtë-lart
etj.
Antonimia
trajohet e bazuar gjithnjë në“kundërvënien e
kuptimeve të fjalëve”;karakteri i kundërt
i kuptimeve të fjalëve dhe kundërvënia e tyre vihet në themel të përkufizimit
të antonimeve.Termat “kundërvënie” dhe
“kuptim i kundërt”dalin si
elementë të domosdoshme të përkufizimit të antonimeve,por ata nuk janë zbërthyer qartë
deri më tani,madje janë kuptuar dhe në mënyra
të ndryshme nga gjuhëtaret.Shpesh here ky “kuptim i kundërt” dhe kjo “kundërvënie”kuptohet
ngushtë,vetëm si pozicion ose si mohim.Ka mjaft raste,në fjalorë të gjuhës
shqipe e të huaj si dhe në tekste shkollore,ku antonimet përkufizohen si fjalë
me kuptime të ndryshme dhe që shënojnë cilësi të kundërta,karakteristike vetëm
për mbiemrat cilësorë,si fjalë korelative të tipit vëlla-motër,si fjalë qe shënojnë
veprime të kundërta ose si fjalë që duhet të jenë medoemos me rrënjë të ndryshme.Në
raste të tilla vihet re një kuptim jo i qartë e jo i plotë,herë mjaft i ngushtë
e herë tepër i gjerë,për antoniminë.Kjo tregon se mungon një përcaktim unik e
shkencor për të;koncepti për antoniminë
dhe antonimet ka nevojë të plotësohet e të saktësohet.
është e qartë se dy fjalë që të quhën antonime nuk
mjafton që ato të kenë vetëm kuptime të ndryshme.Kur themi se fjalët hap-mbyll janë antonime,kjo do të thotëe se kuptimet e
tyre leksikore janë jo vetëm të ndryshme por edhe të kundërta,kundërvënia e të
cilave trupëzohet a realizohet në thëniet;hap
derën-mbyll derën,hap shishen-mbyll shishen,hap çadrën-mbyll çadren,hap dritën-mbyll
dritën etj,ku
duket fare mirë se fjalët antonime mund të zëvendësojnë njera-tjetrën dhe të
lidhen me të njejtën fjalë.Pra marrëdhëniet e kundërvënies së një fjale me një
tjetër lindin gjithnjë midis kuptimeve
leksikore të kundërta e të mëvetësishme.Sipas
llojit të këtyre marrëdhënieve përcaktohet edhe antonimia,kuptimi i së cilës si
term nuk është plotësisht i njëjtë me atë të fjalës kundërvënie.Fjala kundërvënie
shënon një kuptim që lidhet me veprimin e shprehur nga foljet kundërvë e kundërvihet,si
dhe me marrëdhëniet a me raport ndërmjet dy a me shume sendeve a dukurive që
janë kundërvëne.Në këtë mënyrë antonimia është kundërvënie
leksiko-semantike,kurse kundërvënia është një koncept më i gjere;ajo shpreh dhe
raporte midis fjalëve ose midis njësive të tjera të gjuhës,që nuk janë
antonime.Antonimia del keshtu si dukuri e kuptimeve leksikore të fjalëve;ajo
shpreh marrëdhënie kundërvënieje semantike ndërmjet fjalëve që janë të njëjta
nga pikëpamja e kategorisë leksiko-gramatikore por fonetikisht të ndryshme.
Kundëervenie
kuptimesh vëmë re edhe ndërmjet togfjalëshave të qëndrueshëm a
frazeologjik,si më
ngriu gjaku-më shkriu gjaku,e solli kokën-këputi qafën etj.Në
të gjitha çiftet antonimike të lart përmendura,karakteri i kundërt i kuptimeve
ose kundërvënia e tyre i lidh aq ngusht fjalët antonime me njëra tjetrën saqë çdo
njëra prej tyre duket sikur nuk mund të kuptohet dot pa tjetrën.
Në disa çifte antonimike ,mohimi i kuptimit të njërës
fjalë mund të përmbahet tek tjetra,por ai nuk mjafton për të pohuar të kundërtën;ky
mohim mund të mos zbulojë aspak kuptimin e antonimit të tij;p.sh.ne çiftet
antonimike jap-marr,pyes-përgjigjem,vij-iki,dashuroj-urrej,kuptimi i togfjalëshit
ose i thenies nuk jap nuk na sjell ndërmend kuptimin e fjalës marr,anasjelltas
nuk marr nuk do të thotë se jap.Po keshtu,nuk pyes nuk do të thotë se përgjigjem
dhe nuk dashuroj nuk do të thotë se urrej;prandaj mohimi,si tregues i antonimisë
leksikore e frazeologjike në gjuhën shqipe,ashtu sikurse edhe në gjuhë të tjera
ka karakter relativ;vlera e tij,si karakteristikë e antonimeve del më e qartë në
kontekst.
Parametri
i parë dhe kryesor,i cili duhet të kihet parasysh edhe për përcaktimin
e antonimeve shqipe nuk eshte mohimi,por karakteri i kundeërt i kuptimeve të
fjalëve dhe të togfjalëshave të qëndrueshëm,mundësia e aftësia e fjalëve dhe e
njësive frazeologjike për tiu kundërvënë njëra-tjetrës në kuptimin e tyre
pohues;në qofte se kjo mundesi nuk ekziston atëherë ato nuk mund të quhen
antonime.Elementi themelor i kundërvënies se tyre është pohimi i një kuptimi
leksikor të caktuar;ky element pohues vihet re dhe tek fjalët antonime me
parashtesa mohuese.Mohimi është i pranishëm edhe tek fjale të tjera pa keto
parashtesa por ai nuk eshte tregues i domosdoshem dhe i vetëm i karakterit të
kuptimeve të tyre.Në qoftë se mohimi i një fjalë na sjell ndërmend një tjetër,kjo
nuk do te thotëe se ato janëe antonime.Kundërvënia me baze gjininë natyrore(ose
gramatikore),si p.sh.vëlla-moter,pulë-gjel.dele-dash,dhi-cjap
etj.,nuk është një kundërvënie e vërtetë(antonimike),sepse atyre fjalëve u
mungojnë dhe përbërësit kuptimorë mirëfilli të kundërt,prania e të cilëve,siç
do te shihet me hollësisht edhe gjatë analizës semantike të antonimeve në gjuhën
shqipe,luan rolin kryesor për kundërvënien e tyre nga kuptimi,për përcaktimin e
tyre si antonime,si dhe për përcaktimin e shkallës së antonimisë.
Parametri
i dytë i rëndësishëm i cili duhet të kihet parasysh për përcaktimin
e antonimeve është boshti I përbashkët semantik që I lidh a bashkon fjalët ose
dy gjymtyrët e një çifti antonimik me njëra tjetrën.Kështu,p.sh.,fjalët i gjatë-i shkurtër,i gjerë –i ngushtë
etj.janë antonime,sepse përveç kuptimeve të kundërta që kundërvihen,kanë si
bosht lidhës përmasat në hapësirë të sendit a të frymorit të cilësuar nga këta
mbiemra;fjalët jug-veri,negativ-pozitiv lidhen automatikisht nga kuptimi sepse
që të dyja shënojnë pole(të kundërta)gjeografike ose elektrike,kurse antonimet
vij-iki shënojnë lëvizje të njeriut ose të kafshëve,por në drejtime të kundërta.Edhe
fjalët e bardhë-e zezë janë antonime me kuptime krejt të kundërta;por që të
dyja kanë edhe një bosht semantik të njëjtë,sepse shënojnë ngjyrë.Pra
antonimet përveç elementeve dalluese,që
përcaktojnë kundërvënien e tyre,kanë edhe elemente të përbashkëta,të cilat i
gjejmë pikërisht në ketë bosht semantik mjaft të abstraguar e të përgjithësuar,që
i lidh ato nga kuptimi.
Parametri
i tretë,i cili mund te merret si parametër plotësues për përcaktimin
e antonimeve në çdo gjuhe,është mundësia e krahasimit midis tyre nga kuptimi.Në
përgjithësi,kuptimet e fjalëve antonime,ashtu si dhe konceptet e shënuara prej
tyre,janë të krahasueshme;mundësia e krahasimit i fut ato në marrëdhënie kundërvënieje.Ky
parametër është më i qartë për antonimet mbiemra e ndajfolje(pak-shumë,mirë-keq)që
kanë edhe shkallë krahasimi të barazisë,të sipërisë etj.
Midis fjalëve antonime ekziston edhe një shkallë e
caktuar kundërvënieje;ky tregues është një karakteristikë e përgjithshme
pothuaj e të gjitha antonimeve dhe mund të merret si parametri i katërt,që duhet pasur parasysh për përcaktimin e
karakterit antonimik.Kundërvënia midis tyre nga kuptimi,ashtu sikunder shihet më
hollësisht për antonimet shqipe,nuk është e njëjtë në të gjitha çiftet;në çifte
të ndryshme antonimike kundërvënia diku është më e fortë dhe diku më e dobët,kjo
varet nga semantika dhe struktura formale e fjalëve antonime,nga vlerat
inherente të vetë fjalëve a njësive frazeologjike.Ekzistenca e shkallëzimit bën
që disa prej gjymtyrëve të çifteve antonimike të kenë një polarizim e
ekstremitet me të madh se të tjerat;në bazë të këtij tipari bëhet edhe
klasifikimi i tyre në antonime të mirëfillta skajore e jo të mirëfillta.
Një tipar i antonimeve që lidhet me parametrat që përcaktojnë
antoniminë,është edhe vetia a aftesia që kanë gjymtyrët e një çifti antonimik për
tu lidhur nga ana semantike e gramatikore me të njëjtën fjalë ose nga ana
logjike me të njëjtin subjekt.Ekzistenca e këtij tipari bën të mundur a lejon
edhe realizimin ose zbatimin e parametrave të lart përmendur;në qoftë se nuk do
të ishte e mundur lidhja e antonimeve me të njëjtën fjalë nga ana semantike e
gramatikore ose me të njëjtin subjekt nga ana logjike,nuk do të ishte e mundur
as krahasimi,as gradacioni midis tyre.
Më në fund,që të jenë antonime duhet që ato nga pikëpamja
e kategorisë leksiko-gramatikore të jenë homogjene domethënë pjesë të njëjta të
ligjëratës;nëse fjalët nuk janë pjesë të njëjta të ligjërates,ato nuk mund të
quhen antonime;kështu p.sh. fjalët hyj-dalje ose hyrje-dal,që nuk i përkasin së
njëjtës kategorie leksiko-gramatikore,nuk janë antonime,megjithëse në përmbajtjen
e tyre mund të ketë,nga ana logjike,elemente kundërvënieje,që lidhen me dy proçese
veprimi të kundërta.
Antonimet mund të jenë fjalë fonetikisht pothuaj të
ndryshme(afroj-largoj,gjatësi-gjerësi,dredh-shpërdredh)ose krejt të
ndryshme(dashuroj-urrej,poshtë-lart),por,kompleksi fonetik nuk është
kriter,parameter ose kusht i domosdoshem,që ato të quhen apo të mos quhen
antonime.
Mund të përfundohet se antonimet,ashtu sikurse
sinonimet,janë gjymtyrë të një grupi a vargu tematik ose element të një fushe
semantike,por të lidhura nga karakteri i kundërt i kuptimeve të tyre.Si
gjymtyre të këtij grupi tematik ato kanë edhe një bosht të përbashkët
semantik,në skajet e të cilit qëndrojnë kuptimet e tyre,ato kane cilësinë të qëndrojnë
zakonisht afër njëra-tjetrës në togfjalësha e në fjali ose në fraza a periudha
me të gjata;ato rrënjosen në ndërgjegjen e atij që flet ose shkruan si çifte
fjalësh,të cilat mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën në të njëjtin kontekst
sintaksor.
Antonimia,si
një kategori gjuhësore,është shprehje e marrëdhënieve a e raporteve të kundërvënies
midis kuptimeve a varianteve leksiko semantike të fjalëve ose të togfjalëshave
të qëndrueshëm.Në themel të antonimisë qëndron kundërvënia semantike e fjalëve,prandaj
nganjëherë ajo quhet edhe antonimi leksikore,për ta dalluar nga antonimia
gramatikore,stilistikore dhe e njësive frazeologjike.
Është më se e dukshme se studimet e hershme të
antonimisë janë parë në dritën e parimeve dhe konkluzioneve logjike, shumë
cekët nga ana gjuhësore. Është më i vonshëm trajtimi teorik e shkencor i
antonimisë me drejtim kryesisht gjuhësor. Për sa i përket gjuhës shqipe, mund
të themi se studimet në këtë fushë kanë filluar e po vazhojnë, duke na
lehtësuar dhe bërë të mundur studimet krahasimore ndërgjuhësore.Në hulumtimet
në gjuhën shqipe kemi vënë re faktin, se studiuesit e kësaj fushe janë
rishprehur për problematika të ndryshme, duke korrigjuar dhe rivlerësuar disa
nga karakteristikat kryesore të antonimisë në dritën e zhvillimit gjuhësor dhe
nën ndikimi e studimeve në gjuhë të tjera. Disa nga studiuesit me kontribut të
vyer në antoniminë e gjuhës shqipe janë:
J. Thomai, M. Samara, I. Goçi etj. Me të drejtë J. Thomai thekson, “derisa të ketë kundërthënie në natyrë, gjithnjë
do të ketë antonime dhe në gjuhë”. Në lidhje me përkufizimin e antonimisë e të
nocioneve të lidhura ngushtë me të, vërejmë se ka debat të shtrirë në kohë në
lidhje me atë çka ne quajmë antonim, çift antonimik, kundërvënie, kundërthënie,
kundërshti, opozicion, shkallëzim i kundërvënies, motivim,etj.
M.
Samara jep këtë përkufizim: “Antonimet janë fjalë me kuptim
të kundërt, të cilat së pari pohojnë veten, pastaj mohojnë fjalën e kundërt”.
Në mënyrë të ngjashme I. Goçi, jep këtë përkufizim: “Antonimet janë çifte
fjalësh dhe kuptime të kundërvëna midis tyre, të cilat, duke plotësuar kuptimin
e njëra-tjetrës, nëpërmjet kësaj kundërvënieje, ata së pari e pohojnë veten,
pastaj e mohojnë njëra-tjetrën” Megjithatë, nuk analizohet rëndësia e
përdorimit të fjalëve antonimike në rrethana e kontekste gjuhësore e
jashtëgjuhësore. Ndërveprimi dhe lidhja e ngushtë me gjymtyrën antonimike
gjegjëse është vlerësuar si tipar i rëndësishëm për antoniminë nga pasues të
Samarës. Kështu, I. Goçi thekson
faktin, se “pa marrë parasysh a është fjala antonimike vetëm a përballë tjetrës
që i kundërvihet, ajo është çift, sepse tjetra, edhe pse nuk është e pranishme,
nënkuptohet nëpërmjet asosacionesh psikolinguistike në ndërgjegjen e folësit.”
Kështu, sa herë që dëgjojmë fjalën “hap”, na vjen në mendje fjala “mbyll, etj. Në
këtë mënyrë theksojmë, se antonimet janë çifte fjalësh të kundërvëna. Po
kështu, I. Goçi shton, se vlen të bëhet edhe dallimi midis kuptimit dhe
konceptit, pasi siç pohon ai, “raportet e kundërvëna janë semantike e
jokonceptuale. Kemi raporte kuptimesh e jo konceptesh, të cilat i studion
logjika.” I. Goçi jep një përkufizim të zgjeruar të antonimeve: “Meqenëse fjala
është njësia themelore e gjuhës dhe shpreh kuptimin e sendeve dhe të fenomeneve
të realitetit objektiv dhe subjektiv, antonimia shpreh kundërvënie kuptimore
sendesh dhe fenomenesh, kushtëzuar nga rrethana
të ndryshme të emërtimit e të veprimit, nga pozita subjektive, që shprehet me
mjete leksikore e fjalëformuese.” J.
Thomai shprehet, se “kundërvëniet e kuptimeve u përgjigjen kundërvënieve të
nocioneve mbi sendet dhe dukuritë e realitetit”. Pra, realiteti luan një rol të
rëndësishëm, por jo të mjaftueshëm, e të izoluar nga qendrimi subjektiv i
folësit ndaj realitetit.
Jones thekson: “Kundërvënia ndikon në mënyrën e të
menduarit dhe komunikimit në një masë domethënëse, dhe kjo dëshmohet nga
përdorimi i gjerë i antonimisë”. R.
Memushaj ndan mendimin, se “përmes antonimisë pasqyrohet realiteti përmes
çifteve të koncepteve të kundërta”. Gjymtyrët e një çifti antonimesh kanë një
bërthamë semantike të përbashkët, prandaj e nënkuptojnë njëra-tjetrën, por nga
ana tjetër kësaj bërthame i shtohen edhe tiparet semantike të kundërta.
Përkufizimi
i antonimeve, sipas kritereve të ndryshme.
Në një këndvështrim të përgjithshëm dallojmë dy mënyra
përkufizimi të antonimisë: së pari, ai që përfshin kriterin semantik dhe, së
dyti, ai që përfshin kriterin leksikor. Me zhvillimet e fundit në fushën e
gjuhësisë, dallojmë edhe kriterin e konfigurimit të përmbajtjes, si një tjetër
kriter të rëndësishëm në përcaktimin e antonimeve.
Kriteri
semantik
Në gjuhën shqipe, M. Samara e përcakton antoniminë “si
kategori gjuhësore dhe shprehje e marrëdhënieve e raporteve të kundërvënies
midis kuptimeve a varienteve leksiko-semantike të fjalëve, ose togfjalëshave të
qendrueshëm “.Sipas fjalorit Longman, antonimia përkufizohet “si një fjalë e
cila është e kundërt në kuptim me një fjalë tjetër”. Në mënyrë të ngjashme,
fjalori i gjuhësisë dhe fonetikës, Crystal, e përcakton antoniminë: “Antonimia
në kuptimimin e saj më të gjerë pasqyron në mënyrë kolektive të gjitha llojet e
kundërvënieve semantike”. Këto përkufizime pasqyrojnë kriterin semantik,dhe si
rrjedhojë antonimia përkufizohet thjesht si “kundërvënie e kuptimit”. Por ky
lloj përkufizimi nuk arrin të shpjegojë tendencën e disa fjalëve për t’u
përfshirë në kundërvënie, ndërkohë që disa të tjera nuk e kanë. Antonimet janë
fjalë [4]semantikisht
të kundërvëna, por jo të gjitha fjalët kanë kundërvënie. Nga këtu rrjedh dhe
mendimi se “antonimet janë fjalë me kundërvënie semantike, por, jo të gjitha
fjalët që kanë kundërvënie semantike janë antonime”. Cruse jep shembuj të këtij rasti me fjalët (i mbushur) dhe (i
dobsuar). Ai thekson se nuk ka diskutim për faktin se këto dy fjalë janë të
kundërta në kuptim më njëra-tjetrën, por ai e sheh të vështirë që një folës
amëtar i gjuhës angleze t’i konsiderojëato si të kundërta. Sipas S.Jones ekzistojnë tri tipe kryesore antonimesh në
bazë të kriterit semantik:
·
Antonime plotësuese ose kontradiktore, të
cilat janë çifte fjalësh, me të cilat një
gjymtyrë ka një tipar semantik të caktuar, të cilin gjymtyra tjetër nuk
e ka. Kështu që në kontekstet në të cilat njëra prej këtyre gjymtyrëve është e
vërtetë gjymtyra tjetër nuk mund të jetë e vërtetë, p.sh.,
(mashkullor/femërore), (i martuar/i pamartuar), (i plotë/i paplotë), (i
gjallë/i vdekur), (i pranishëm/i muguar), (i zgjuar/i përgjumur) etj.
Kundërvënia e këtyre është e tipit “ose…ose”, ku nuk ekziston një vijë e mesme
apo një gjymtyrë e vetme.
·
Antonimet marrëdhëniore janë çifte
fjalësh, në të cilat prania e një tipari semantik të caktuar në një nga
gjymtyrët nënkupton praninë e një tjetër tipari semantik në gjymtyrën tjetër.
Thënë ndryshe, ekzistenca e një prej gjymtyrëve nënkupton ekzistencën e
gjymtyrës tjetër, p.sh., (blej/shes), (ndal/iki), etj., si edhe disa mbiemra në
formë krahasore të tipit (më i gjatë/më i shkurtër),(më e lirë/më e shtrenjtë),
etj.
·
Antonimet e shkallëzuara janë ato çifte
fjalësh, të cilat kundërvihen në lidhje me masën e zotërimit të një tipari
semantik të caktuar. Secila gjymtyrë përfaqëson një pikë ekstreme në një bosht,
i cili përfaqëson një dimension të caktuar, si p.sh: masa, temperatura,
përmasa, lartësia, etj. Ndërmjet këtyre dy skajeve ekstreme ndodhen edhe pika
të tjera të ndërmjetme, si p.sh: (i nxehtë/i ftohtë), (i madh/i vogël), (i
gjatë/i shkurtër), (i mirë/i keq), (i fortë/i dobët), (e bukur/e shëmtuar), (i
lumtur/i trishtuar), (i shpejtë/i ngadaltë), etj.
Përkufizimi
sipas kriterit leksikor
Për më shumë në lidhje me përfshirjen e kriterit
semantik dhe leksikor janë Justeson dhe Katz, ata të cilët shtojnë, se
“antonimia duhet të përkufizohet sipas kritereve leksikore, ashtu edhe atyre
semantike, pasi ajo është një fenoment i lidhur me fjalët dhe jo me konceptet”.
Çka më lart, thekson edhe njëherë faktin, se antonimia
duhet parë si marrëdhënie midis fjalëve, e jo si marrëdhënie midis koncepteve.
Si përfundim, ne jemi të mendimit se, përkufizimi i antonimisë duhet t’u
përmbahet të dyja këndvështrimeve, atij leksikor dhe atij semantik. Antonimet
duhet të kenë kundërvënie kuptimore, por ato gjithashtu duhet të kenë edhe një
marrëdhënie të fuqishme dhe të mire përcaktuar me njëra-tjetrën. Ato çifte
fjalësh, të cilat u përmbahen të dyja këtyre kritereve, njihen si “prototipe
ose kanonike” ndërkohë që ato tipe fjalësh të cilat, i përmbahen vetëm kriterit
leksikor, njihen si “jokanonike ose periferike”.
Kategorizimi
sipas kriterit të konfigurimit
Në studimet e fundit jotradicionale vërejmë, se
kriteret e kategorizimit janë shtrirë përtej atij vetëm leksikor apo vetëm
semantik. Në këtë qasje të re, antonimet përkufizohen si “kundërvënie binare në
gjuhë dhe në mendim”. Bazuar në studimet e fundit, nga kategorizimi i
antonimeve rezulton, se antonimia është përkufizuar sipas dy këndvështrimeve
kryesore: përmes konfigurimit apo skemës dhe përmes përmbajtjes. Kundërvënia
perceptohet si “një interpretim binar krahasimi, në të cilin dimensioni i
përmbajtjes përcaktohet dhe ndahet nga një skemë apo konfigurim kufizues.
Konfigurimi i një kufizimi të tillë përbën një domosdoshmëri absolute për
kuptimet në mënyrë të tillë që të përdoren si antonime në një segment
përmbajtjeje të caktuar”. Ky përkufizimi qendron në themel të këndvështrimit
konfigurues apo skematik. Nga ana tjetër, sipas këndvështrimit të stukturës së
kuptimit domethënës, kategorizimi i antonimeve përbën një vazhdimësi brenda së
cilës disa çifte kundërvënëse binare konsiderohen “më të mirë” sesa disa të
tjerë. Kategorizimi sipas segmentit të përmbajtjes përbën një prototip, i cili
dallon dhe bën ndarjen e çifteve kanonike si gjymtyrë bërthamë dhe çiftet e
rastësishme. Sipas Paradis, “sa më kanonike të jenë antonimet, aq më të lidhura
ngushtë janë nga ana leksikore dhe semantike, ndërkohë që ato më pak kanonike,
apo aspak kanonike konsiderohen si antonime vetëm për shkak të
mospërputhshmërisë së tyre semantike, kur përdoren në kundërvënie binare për të
qenë të kundërta”.
Papajtueshmëria
dhe antonimia
Në përgjithësi, hulumtuesit e fushës së gjuhësisë e shohin
antoniminë veçmas nga papajtueshmëria. Fjalë të ndryshme kanë kuptime të
ndryshme, por disa prej tyre kanë kuptime të ndryshme, të cilat lidhen mes tyre
përmes disa elementëve të përbashkët. Kjo përbën interes studimor për disa
gjuhëtarë, të cilët analizojnë tiparet e përbashkëta dhe të kundërta që fjalët
përmbajnë në strukturën e tyre semantike. De Saussure vuri theksin tek “vlera”
që mbartin fjalët brenda sistemit të përbashkët. Një shembull i këtij sistemi
në gjuhë është edhe ai i ngjyrave, të cilat ndajnë të njëjtën fushë, por kanë
vlerat e tyre, të cilat nga marrëdhënia e kundërvënies rezultojnë të jenë të
papajtueshme. Një tipar tjetër i fjalëve të papajtueshme është fakti se ato nuk
mund të renditen në mënyrë natyrale, ndaj për t’i renditur është përdorur
kriteri i rendit alfabetik. Kështu, ai i sheh ngjyrat si një “grup i parenditur
termash të papajtueshme”. Hjelmslev u përpoq t’i shihte ngjyrat në raport
intensiteti midis tyre në bazë të karakteristikave fizike të ngjyrave, por kjo
nuk mund të shprehet gjuhësisht. Përpjekje janë bërë në gjuhësi për të
përkufizuar antoniminë përmes testeve diagnostikuese, si për shembull:
hulumtimet eksperimentale në veprat e studiuesve si: Kay, Cruse, Lyons, etj.,
të cilët studiojnë papajtueshmërinë e strukturave minimale brenda fjalive si më
poshtë: (Buka është e freskët.) (Buka është bajate.)
Nga të tilla qasje, mund të identifikohen çifte
fjalësh të papajtueshme, por jo të dallohen ato fjalë që kanë vetëm referencë
të papajtueshme, nga ato të cilat kundërvënien e kanë antonimike. Ato nuk
arrijnë të vlerësojnë kundërvënien leksikore të antonimeve kanonike, ku disa
antonime (kanonike) përbëjnë çifte “më të mira” krahasuar me çifte të tjera
fjalësh të kundërvëna, si për shembull: “alive/dead” (i gjallë/i vdekur) përbën
një çift më të gjetur sesa“alive/expired” (i gjallë/i vdekur). [6]
. M. Samara dallon pohimin dhe mohimin brenda
gjymtyrëve të çiftit antonimik dhe shprehet, se
“kuptimi pohues i njërës fjalë lidhet me kuptimin e fjalës që ajo mohon”.
Kështu, çdo njësi leksikore pohon diçka dhe mbart një kuptim, dhe mohimi
qendron brenda këtij kuptimi si pjesë përbërëse.
J.Thomai pohon, se “nuk
krijohet asnjë kundërvenie ndërmjet një fjale dhe mohimit të saj me pjesezat
s’, nuk, jo, mos”. Tek mohimi kemi të bëjmë me mohim të fjalës së parë, po nuk
pohohet e kundërta me të. J. Thomai mendon, se “mohimi ka përmbajtje më të
gjerë sesa mohimi i një fjale”. Kështu, p.sh., “i nxehtë/ jo i nxehtë”, ku kjo
e dyta jo vetëm nënkupton që mund të jetë diçka e ftohtë, por mund të jetë edhe
e ngrohtë, e vakët, e freskët etj.
Gjithashtu, edhe M. Samara thekson, se pjesëza
nuk, jo, dhe s’, nuk shërbejnë si elemente fjalëformuese, pra nuk kemi të bëjmë
me antonimi, por me mohim logjik. Ai
njeh si fjalëformuese parashtesën “pa-“, e cila ndihmon në forminin e çifteve
antonimike të tipit: “i martuar/i pamartuar”. Në këtë këndvështrim, M. Samara
dallon midis dy tipesh të çiftit antonimik:
a) Antonimi ose
kundërvënie të ndërtuar mbi bazën e mohimit leksikor (i martuar/i pamartuar)
b) Antonimia ose
kundërvenia, e cila ndërtohet mbi bazën e pohimit leksikor të dy kuptimeve të
kundërta midis fjalëve me rrënjë të ndryshme (i martuar/beqar). Xh. Gosturani,
i cili e trajton gjerësisht çështjen e mohimit në gjuhën shqipe, thekson se
“pohimi me mjete sintaksore që kanë formë mohuese, por brendi pohuese, duke
mohuar antoniminë e një fjale me një pjesëz mohuese (nuk, s’, jo, mos, pa)
bëhet në gjuhën shqipe vetëm për nevoja të caktuara stilistikore të lidhura
ngushtë me kontekstin…ose kur dëshirojmë të mos i quajmë sendet me emrin e
vet.” Ai dallon disa raste kur dy mohime japin një pohim.
Shembull: “Krevati nuk
është jo i rehatshëm.” M. Samara e kundërshton këtë mendim, pasi ai mendon, se
në një këndvështrim semantik dhe strukturor të fjalës nuk mund të vihet shenja
e barazimit semantik midis kuptimit pohues të shprehur me dy pjesëza mohuese
dhe atij të shprehur nga mohimi i një fjale me parashtesën “pa-” dhe një pjesëz
mohuese.
Shembull: “Ai ishte jo i
papërqendruar.” (pra, ishte “i përqendruar”) Ai e vazhdon arsyetimin e tij duke
theksuar, se fjalët me parashtesa mohuese kanë veçori strukturore dhe
semantike, të cilat i japin mohimit të këtij lloji vlera të ndryshme në
krahasim me mohimin e shprehur me pjesëzën mohuese. Ai rikthekson se mohimi i
shprehur me parashtesa mohuese bën pjesë në kuptimin leksikor të fjalës, pra
është mohim leksikor, kurse me pjesëza mohuese është mohim sintaksor ose
togfjalëshor. M. Samara mendon, se pohimi që bëhet në gjuhën shqipe nëpërmjet
mohimit të [7]kuptimit të
kundërt të fjalës me anë të pjesëzës “jo”, nuk është karakteristike për gjuhën
e folur popullore. Vjet u përgatita jo keq. Në shembullin e mësipërm të Xh.
Gosturanit, pohimi është bërë me anë të mohimit në kuptim të kundërt të fjalës
“keq”, por nuk mund të themi, se “u përgatita jo keq” do të thotë “u përgatita
mirë”, pra kemi të bëjmë me mohim të fjalës “keq”, por jo pohim të fjalës
“mirë”. M.Samara dallon dy tipe të mohimit, karakteristike të gjuhës shqipe:
1. Mohimi i fjalës me anë të pjesëzave mohuese nuk,
s’, mos, dhe pa (para foljes) dhe rrallëherë me jo (prapa mbiemrit)
2. Mohimi me anë të prapashtesave me funksion mohues,
si p.sh. pa -, mos-, jo-, s-, (mbiemra+folje) Nga këto dy tipe mohimi
karakteristike për gjuhën shqipe vetëm tipi i dytë, pra ai përmes parashtesave
me karakter mohues është i lidhur ngushtë me kuptimin antonimik të fjalëve.
Ndërsa në rastin e pare, nuk kemi të bëjmë me antonimi leksikore (kundërvënie
leksikore), por me kundërvënie sintaksore. I. Goçi e ilustron raportin e
mohimit si edhe të parashtesimit përmes skemave mohuese e kundërvenëse, si më
poshtë:
- Skema e mohimit: “A/jo A” “i bukur/jo i bukur”, ku
gjymtyrët përjashtojnë njëri-tjetrin. Gjithashtu, mund të ndërtohet mohim edhe
me foljen jam+mbiemër”, modele të cilat përmbajnë një folje këpujë pohuese të
shoqëruar me një mbiemër pohues në gjymtyrën e parë, dhe me pjesëzën mohuese
“jo” plus mbiemrin në pjesën e dytë sipas modelit “ai është i mire/ai është jo
i mirë”).
- Ndërkohë, skema e kundërvënies del e zgjeruar në
raport me atë të mohimit: “A/ jo A +B”, “i bukur/jo i bukur + i shëmtuar”. Pra,
siç shihet edhe nga skema e mësipërme, kundërvënia e përmban mohimin si pjesë
përbërëse të skemës së mësipërme, por nuk kufizohet me të, pasi përfshin edhe
pohimin e termit të dytë, antonimik, i cili mohon gjegjësen e tij në çift,
sikurse edhe pohon veten. I.Goçi gjatë studimit të tij të thelluar mbi
antoniminë në gjuhën shqipe, analizon edhe raportin midis mohimit, kundërvënies
dhe kundërthënies. Ai thekson, se “mohimi dhe kundërvënia nuk mundet kurrsesi
të jenë e njëjta gjë, pasi mohimi nuk përbën mjet fjalëformues, dhe si i tillë
nuk mund të formojë çifte antonimike apo kundërvënie”. Parashtesat tipike
negative në gjuhën shqipe: pa-, jo-, mos-. (i fuqishëm/i pafuqishëm). Krahas
formës antonimike me parashtesë negative, ndodh që të ekzistojë edhe një fjalë
tjetër antonimike, e cila qendron përballë të njëjtit mbiemër si në rastin e
mësipërm, ku “i pafuqishëm” mund të zëvendësohet me “i dobët”, nga ku del çifti
antonimik “i fuqishëm/i dobët”. Për sa i përket marrëdhënies midis “i dobët” e
“i pafuqishëm”, vlen të theksojmë, se ato kurrsesi nuk mund të jenë sinonimike
apo të njëjta në kuptim, pasi një njeri “i pafuqishëm” jo domosdoshmërisht
është “i dobët”, sepse ekziston edhe një gjendje e ndërmjetme mes tyre. Për sa
u përket foljeve, një parashtesë negative si fjalëformese në gjuhën shqipe
është edhe “zh”-ja, si në shembullin “bëj/zhbëj”. Vetë termi i kundërvënë
“zhbëj” mund të diskutohet në raport me një formë tjetër jokundërvënëse, por
thjesht mohuese, siç është “s’bëj”. Në rastin e dytë nuk kemi kryerje të
veprimit e më pas kthim në formën e parë, por moskryerje të veprimit. Në lidhje
me foljet, M.Samara dallon edhe ata çifte antonimike foljore, të cilat shprehin
marrëdhënie kundërvënieje [8]reciproke,
ku mohimi i kuptimit të njërës fjalë qendron brenda kuptimit të fjalës tjetër,
por nuk është i mjaftueshëm për të pohuar të kundërtën. Për shembull, tek çifti
“dashuroj/urrej” folja dashuroj e përdorur në mohim “nuk dashuroj”, jo
domosdoshmërisht na sjell në mendje foljen “urrej”. Si përfundim, mund të
përmbledhim mendimin tonë, se antonimet nuk janë një mohim i thjeshtë i
tipareve semantike të një fjale tjetër, pasi ata e plotësojnë njëra-tjetrën
duke u kundërvënë. Themi, se antonimet qendrojnë në një unitet të mohimit dhe
pohimit nga këndvështrimi kundërvënës. Gjymtyrët e çiftit antonimik, si
rezultat janë të dallueshme, të ngjashme ashtu sikurse kanë dhe një përbërës që
i kundërvë me njëratjetrën.
Në çdo gjuhë, pra edhe në gjuhën shqipe, antonimet përbëjnë
një kategori të rëndë- sishme leksiko-gramatikore e stilistikore. Ato janë
fjalë ( madje në disa raste edhe togje fjalësh) me kuptim të kundërt. Mirëpo,
do theksuar që në fillim se antonimi kemi vetëm në rastet kur në ligjërimin e
folur apo të shkruar janë të pranishme në të njëjtin kontekst të dy fjalët
antonimike. Prandaj, duke u mbështetur në këtë veçori gjuhësore e stilistike të
tyre, studiuesi i njohur Xh. Lloshi i ka konceptuar si Dy fjalë kanë kuptime të
kundërta , nëse shënojnë një tipar cilësor, janë bashkëplotësuese në shënimin e
një fushe ose tregojnë drejtime të kundërta të hapësirës, lëvizjes a kohës.
Gjithmonë antonimet janë fjalë të një gjinie, që kundërvihen si shfaqje të dy llojeve
të kundërta: i mire-i keq, mashkulli-femra; hyj-dal, majtas- djathtas1 . Kurse
B. Beci ato i sheh si Rrjedhojë e kundërvënies së dukurive, të objekteve që
qëndrojnë në pole të kundërta.Më e zakonshme është kundërvënia e dy cilësive (i
ri-i vjetër ) , e dy veprimeve ( ngjitem-zbres; as-hesht) dhe e dy dukurive
(tore-humbje). Të tilla kundërvënie gjenden në të gjithë sektorët e jetës
shoqërore: amatorprofesionist, shumica-opozita, e djathta-e majta etj.2 . Sipas
B. Becit, antonimet janë të plota dhe të pjesshme. Të plota janë kur fjalët
janë të kundërta në kuptimet themelore ose në shumicën e kuptimeve p. sh.
marrjap, mbyll-hap etj., kurse të pjesshme janë kur fjalët janë të kundërta jo
në kuptimet themelore, por në situata të caktuara, si p. sh.: Ai është zjarr,
ajo ishte borë; Atje sa bukur, këtu sa zi. Fjalët zjarr-borë, bukur-zi nuk janë
antonime, por në kontekstin e dhënë formojnë kundërvënie kuptimesh3 . Po aty më
poshtë, B. Beci të gjitha antonimet i ka ndarë në dy grupe të mëdha: Në
antonime leksikore dhe gramatikore. Antonime leksikore i konsideron fjalët që
kundërvihen me njëra-tjetrën nga kuptimi: i ftohtë- i ngrohtë, ngrihem-ulem,
kurse antonimet gramatikore ato fjalë që krahas kundërvënies kuptimore kanë një
ngjashmëri të pjesshme në formë: i ditur-i paditur, i armatosur-i çarmatosur,
vesh-zhvesh, mbitoka-nëntoka4 etj. Mirëpo, ato në fushën e letërsisë janë mjete
të fuqishme shprehëse. Mbi këtë bazë formohet edhe antiteza e cila Është mjaft
e njohur si në poezinë shqipe, edhe në publicistikë e gojëtari, duke nisur nga
folklori: Zhvish rrobat e djalërisë, Vish rrobat e dhëndërrisë; ose Se të qante
kur të qeshte Se të qeshte kur të çveshnin (F. Noli)5 . Pastaj gura stilistike
e ashtuquajtur oksimoron, si në shembujt: Trashëgimia kulturore e muzeve -e
ardhmja e së kaluarës( ZP, 14. 5. 1988); Ishte një nga ato qetësitë e
shqetësuara.(T. Laço, Të gjithë lumenjtë rrjedhin)6 etj. Antonime ka edhe në
kuadër të ndërtimeve frazeologjike, si p. sh.: Ngul këmbë-lëshon pe;I hyri në
zemër-i doli nga zemra; I ra në dorë-i doli dorësh etj., për të cilën temë kemi
bërë fjalë në kuadër të shkrimit `Frazeologjizmat në FGJSSH ', botuar po kështu
në këtë faqe interneti. Në gjuhësinë shqiptare anonimet janë studiuar
relativisht mirë. Mjafton ti përmendim këtu studiuesit, si M. Samara, I. Goçi e
ndonjë tjetër të cilët kanë bërë disa studime7 . lidhur me këtë kategori
leksiko- gramatikore e stilistikore në gjuhën shqipe. Mirëpo, më sa dimë ne,
ende nuk është botuar ndonjë fjalor i plotë me antonime në gjuhën shqipe. Me këtë
rast, ne me anë të programeve të caktuara të linux-it kemi arritur ti
sistemojmë të gjitha antonimet nga Fjalori i gjuhës së sotme shqipe të vitit
1980, duke e marrë për bazë shkurtesën kund. dhe kemi sajuar kështu një
Fjalorth me antonime, të cilin po e prezantojmë këtu më poshtë në kuadër të
këtij shkrimi:
ABSOLUT mb. RELATIV,ABSTRAKT
mb. KONKRET
AFËR ndajf. LARG,AFËRME
f. mb. E LARGËT
AFËRSI f. LARGËSI,AFËRT
mb. I LARGËT
AFROHEM vetv.
LARGOHEM,AFROJ kal. LARGOJ
AFRUAR mb. I LARGUAR,AFRUES
mb. LARGUES
AJO përem. KJO,AKORDOHET
vetv. ÇKORDOHET
AKORDOJ kal.
ÇAKORDOJ,AKTIV m. PASIV
AKTIV I mb. PASIV,ALLAFRËNGA
ndajf. thjeshtligj. ALLATURKA
ANALITIK mb.
SINTETIK,ANALIZË f. SINTEZË
ANAS m. ARDHË,ANAS
mb. ARDHËS
ANDEJ ndajf. KËNDEJ,ANDEJMI
ndajf. SË KËTEJMI
ANDEJPARI ndajf.
KËTEJPARI,ANDEJSHËM mb. I KËTEJSHËM
ANËSI f. PAANËSI,ANËSISHT
ndajf. PAANËSISHT
ANION m. KATION,ANODË
f. KATODË
ANORMAL mb. NORMAL,ANSHËM
mb. I PAANSHËM
ANTIPATI f. SIMPATI,ANTIPATIK
mb. SIMPATIK
APOGJE m. PERIGJE,ARDHËS
mb. ANAS
ARDHUR mb. ANAS,
RRËNJËS,ARMATIM m. ÇARMATIM
ARMATOS kal.
ÇARMATOS,ARMATOSEM vetv. ÇARMATOSEM
ARMATOSUR mb. I
ÇARMATOSUR,ARMIK m. MIK
ARMIQËSI f. MIQËSI,ARMIQËSISHT
ndajf. MIQËSISHT
ARMIQËSOHEM vetv.
MIQËSOHEM,ARMIQËSOJ kal. MIQËSOJ,ARMIQËSOR mb. MIQËSOR
Në këtë punim u trajtuan në mënyrë të detajuar
çështje që lidhen me antoniminë në gjuhën shqipe. Fillimisht u përqendruam në
çështje të përgjithëshme që lidhen me terminologjinë dhe fushën e studimit. Më
pas, u thelluam drejt objektit të studimit duke u ndalur tek antonimia në
mënyrë të veçantë. Vlen për t’u përmendur trajtimi i çështjes që lidhet me
qasjen paradigmatike dhe sintagmatike ndaj antonimeve f. Me interes rezultuan
të jenë edhe kategorizimet moderne, të cilat vijnë si rezultat i studimeve me
natyrë metagjuhësore, psikolinguistike, eksperimentale, etj. Në vijim, trajtuam
lidhjen e antonimisë me poliseminë, duke u ndalur në gërshetimin e këtyre
marrëdhënieve leksiko-semantike., Thellohemi gjithnjë e më shumë në çështjet e
antonimisë, duke u përqendruar tek antonimia mbiemërore dhe foljore e gjuhës
shqipe.
[2]
Ne te gjitha tekstet e leksikologjise se gjuhes shqipe,si tek “Leksikologjia
shqipe”(1961), “Leksikologjia e gjuhes shqipe”(1974), “Gjuha shqipe per
kl.V”(1977).
[3]
I. Goçi (1985) Antonimet e Gjuhës së Sotme Shqipe, Instituti Albanologjik i
Prishtinës, f. 11.
I. Goçi (1985) Antonimet e Gjuhës së Sotme Shqipe,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 33.
J. Thomai (1974) Leksikologjia e Gjuhës Shqipe, f.
57-63.
S. Jones (2002) Antonymy, A Corpus-Based Perspective,
Routledge: London, f. 125.
R. Memushaj (2006) Hyrje në Gjuhësi, Botimet Toena,
f.171.
M. Samara (1972) Mbi Karakterin Antonimik të Kuptimeve
të Fjalëve në Gjuhën Shqipe, Studime mbi Leksikun, II, f.145
[4]
Shënim: kjo është vënë re nga një studim të gjuhëtarëve amerikanë mbi kuartetin
e fjalëve “large/small”,”big/little”, dallim ky që në gjuhën shqipe nuk del i
qartë pasi nuk dallojmë me një fomë të caktuar leksikore midis “large” dhe
“big” apo” small” dhe “little”.
[6]
M. Samara (1972) Mbi Karakterin Antonimik të Kuptimeve të Fjalëve në Gjuhën
Shqipe, Studime mbi Leksikun, II, f. 144.
J. Thomai (1974) Leksikologjia e Gjuhës Shqipe, f. 27.
J. Thomai (1974) Leksikologjia e Gjuhës Shqipe, f. 28.
M. Samara (1972) Mbi Karakterin Antonimik të Kuptimeve
të Fjalëve në Gjuhën Shqipe, Studime mbi Leksikun, II, f. 144.
Xh. Gosturani cituar ngaI. Goçi (1985), Antonimet e
Gjuhës së Sotme Shqipe, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 33-37.
[7] Shembull i I. Gosturani i shkëputur nga M.
Samara (1972) Mbi Karakterin Antonimik të Kuptimeve të Fjalëve në Gjuhën
Shqipe, Studime mbi Leksikun, II, f.144.
I. Goçi (1985) Antonimet e Gjuhës së Sotme Shqipe,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 33-37.
I. Goçi (1985) Antonimet e Gjuhës së Sotme Shqipe,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 33-37.
[8]
Xh. Lloshi, Stilistika dhe pragmatika, Toena, Tiranë, 1999, f. 132.
B. Beci, Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë,
Prishtinë, 2001, f. 48.
Po aty, f. 48.
Shih Xh. Lloshi, vep., e cit., f.132.
Xh. Lloshi, vep., e cit., f. 133.
Shih M. Samara, Mbi antonimet në togfjalësha dhe mbi
antonimet e togfjalëshave të qëndrueshëm në gjuhën shqipe, SF 1972/1; Çështje
të antonimisë në gjuhën shqipe, Tiranë, 1985 (Monogra);
I. Goçi,
Antonimet e gjuhës së sotme shqipe, Prishtinë, 1985 (Monogra).
No comments:
Post a Comment